• Lajmi
  • 0 Komente

40 euro hyrja seonzale në Brezovicë

16:0517 Dhjetor 2012

Shtërpca edhe sivjet do të aplikojë taksat hyrëse për në Qendrën e Skijimit në Brezovicë. Siç kanë bërë të ditur zyrtarët komunalë, këto taksa do të jenë të njëjta me vitet e kaluara, me përjashtim të atyre sezonale që vlejnë për pronarët e shtëpive të vikendit, të cilëve Komuna ua ka mundësuar edhe pagesën sezonale në vlerë prej 40 eurove.“Rregullorja për taksat, tarifat dhe gjobat komunale e Shtërpcës ka pësuar disa ndryshime të vogla me një vendim të Kuvendit te neni 17 dhe 19, por në përgjithësi është ajo e mëparshmja, përfshirë edhe taksat për hyrje në Qendrën e Skijimit”, ka thënë Sinan Ymeri, drejtor i Financave, transmeton koha.

Sipas Rregullores së taksave komunale të Shtërpcës, përkatësisht nenit 17 të saj, taksat për hyrje në Brezovicë aplikohen për pesë muaj me radhë, duke filluar nga data 15 dhjetor deri më 15 prill të çdo viti kalendarik. Të liruar nga taksat janë vetëm fëmijët nën moshën 7 – vjeçare dhe qytetarët e Komunës së Shtërpcës. Qytetarët e moshës mbi 7-vjeçare që ia mësyjnë Brezovicës, përpos atyre të Shtërpcës, do të jenë të detyruar që në hyrje të qendrës të paguajnë taksat komunale në vlerë prej 1 eurove për person, për automjetet e lehta të udhëtarëve duhet të paguajnë nga 3 euro, për kombibusët, kamprimorkiot dhe xhipat nga 5 euro, ndërsa autobusët nga 20 euro. Drejtori Ymeri ka theksuar se edhe gjatë kësaj sezone nuk do të ketë ndryshime të theksuara në këto pagesa.

Për momentin taksat për hyrje në Brezovicë ende nuk janë aplikuar sivjet, pasi që nuk ka filluar sezoni turistik. Drejtori i Shërbimeve Publike, Sinisha Buduriq, ka thënë se në momentin kur nis sezoni do të aplikohen edhe taksat. Ai ka bërë të ditur se aplikimi i tyre do të hyjë në fuqi me vendimin e kryetarit të Komunës.

Drejtoi i përgjithshëm i Qendrës Turistike, Aleksandar Janiçijeviq, ka thënë se ende nuk ka filluar sezoni turistik, ndonëse borë ka rënë mjaft në Brezovicë, për shkak të disa riparimeve që janë duke iu bërë teleferikëve. “Jemi duke i bërë disa riparime në teleferikë dhe në hotelin “Molika”, por nuk mund të themi se do të ketë ndonjë ndryshim të madh në krahasim me vitet e kaluara”, ka thënë ai.  

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Kreatoda | Web & Design