• Lajmi
  • 0 Komente

Ministri i Brendshëm në Shqipëri shkarkon policin që e dënoi para 1 viti

14:4824 Shtator 2013

Tomor Noku, është një prej dhjetëra efektivëve të Policisë së Qarkullimit Rrugor, të shkarkuar dje nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai vijoi qetësisht shërbimin deri në orën 22:30 të mbrëmjes, pa u ndikuar aspak nga fakti që emri i tij ndodhej në listën e "zezë" të të ndëshkuarve.

Krejt qetësisht, Tomor Noku, shprehet se për 19 vite punoi në radhët e Policisë së Shtetit me përgjegjësi e profesionalizëm dhe kurrë më parë nuk kishte kryer ndonjë shkelje. Noku rrjedh nga një familje e persekutuar dhe jeta e tij ka qenë jo e lehtë.

Halleve të shumta, u shtohet tashmë dhe largimi nga puna, në një kohë që shprehet se nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka zbatuar me rigorozitet ligjin. Gjatë një bisede telefonike me "GSH", Noku tregon edhe një 'histori' interesante me ministrin e Brendshëm Tahiri, të cilit një vit më parë i vuri gjobë dhe i ngriti makinën me karroatrec, se kishte parkuar gabim…

Z.Noku, jeni në dijeni të faktit që jeni shkarkuar nga radhët e policisë së Qarkullimit?

Unë jam në shërbim dhe e mbaroj turnin në orën 22:30. Ende nuk më është komunikuar një vendim për largim.

Ministria e Brendshme zyrtarisht deklaron se të gjithë të larguarit janë kapur me shkelje. Cili është "mëkati" juaj?

Kam punuar me ndershmëri një jetë të tërë në radhët e policisë. Nëse ky mund të quhet mëkat, le të më largojnë.

Prej sa vitesh punoni në radhët e policisë?

Prej 19 vitesh punoj në polici; tri vite të plota si inspektor i Qarkullimit Rrugor.

Në tërë këto vite, keni marrë ndonjë masë ndëshkuese apo paralajmërim?

Asnjëherë, pasi gjithmonë kam zbatuar vetëm ligjin. Madje vitin që shkoi jam shpërblyer për punë të mirë.

Si u shpërblyet?

Qendra tregtare TEG u kërkoi drejtuesve të komisariatit emrat e katër policëve me rezultatet më të mira në detyrë. Emri im ishte një prej tyre. Shkova tek TEG dhe më ofruan një televizor ose një lavatriçe. Unë mora televizorin, meqë s'e kisha një të tillë në shtëpi.

E shikoni 'spastrimin' e komisariatit të Qarkullimit Rrugor me prapavijë politike?

Ky është një tjetër diskutim. Nuk mund ta them një gjë të tillë. Personalisht rrjedh nga një familje e persekutuar. Më janë vrarë tre njerëz në shtëpi. Mezi jam mbajtur me bukën e gojës, kam punuar me ndershmëri e profesionalizëm. Por nëse duan të na heqin, le ta bëjnë. Do trokasim diku.

E njihnit më herët ministrin Tahiri?
Kujtoj që një vit më parë e kam gjobitur 20 mijë lekë (të vjetra) për parkim të gabuar të makinës dhe ia ngritëm me karroatrec. E kishte parkuar makinën në një rrugë te Komuna e Parisit, në një kohë që tabela paralajmëronte se automjeti i merrej me karroatrec. I vura 20 mijë lekë (të vjetra) gjobë. Erdhi dhe kërkoi të shlyente detyrimet, por i thashë "nuk jam taksidar dhe shlyeji detyrimet në zyrat e shtetit".  

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Kreatoda | Web & Design