• Lajmi
  • 0 Komente

Ilaçet e rrezikshme

08:3410 Prill 2013

Disa ilaçe që futen në Kosovë e disa të tjera që prodhohen këtu mund të jenë më të rrezikshme sesa mendohet. Kjo sipas ekspertit farmaceutik Milaim Abdullahu ndodh për shkak të mungesës së një laboratori i cili do të kontrollonte çdo ilaç. Disa barna që aktualisht ndodhen në tregun kosovar, për të nuk janë fare të sigurta.
Shumica e ilaçeve që prodhohen në Kosovë, kurrë nuk kanë kaluar nëpër laboratorë për analizë. Njëjtë ndodh edhe me ato që importohen nga vendet e tjera. Është kjo arsyeja që kosovarët duhet të kenë shumë kujdes, e të mendojnë mirë se çfarë barna konsumojnë, para se pasojat të jenë fatale, shkruan “Express”.

Kështu thotë Milaim Abdullahu eksperti i fushës farmacisë. Abdullahu thotë se cilësia e barnave që hyn në Kosovë varet se në çfarë rruge arrijnë ato në tregun tonë.

“Në tregun tonë farmaceutik, medikamentet vijnë nga tri rrugë, në rrugë legale, ilegale dhe si prodhime vendore”, thotë Abdullahu për “Express”.

Ai jep edhe arsyet pse ndodh diçka e tillë. Sipas Abdullahut, arsyeja pse barnat depërtojnë në Kosovë në tri lloje rrugësh është se vendi ynë karshi vendeve në regjion, është i vetmi që aplikon taksa në import për barna.

“E që sipas mendimit tim është shumë i gabueshëm dhe rezulton me atë se në treg dalim minimum 10 për qind me çmim më të shtrenjtë sesa fqinjët tanë”, sqaron Abdullahu.

“Kështu që dilerët gjejnë interesin e vet që të njëjtat medikamente t’i futin rrugëve ilegale, në kushte klimatike jo të preferueshme ku rrezikohet kualiteti i të njëjtave para se të arrijnë tek pacienti, e sidomos ato që duhen të ruhen në kushte specifike si Insulina, serumet, albuminat etj”, vlerëson ai.

E nuk janë vetëm barnat që importohen nga shtetet e tjera, që sipas Abdullahut përbëjnë një rrezik për t’u konsumuar. Sipas tij, për të prodhuar medikamente një prodhues duhet ta plotësojë një standard te rekomanduar, PMP ( praktika e mire e prodhimit).

Kjo pasi çdo prodhues i medikamenteve që nuk e plotëson këtë standard nuk garanton për kualitet e prodhimeve.

“E për fat të keq, disa prodhues vendor që në mase të madhe ofrojnë prodhime në tregun tonë, nuk e kanë të plotësuar këtë standard. Ne anën tjetër, prodhuesit tanë vetëm bëjnë paketimin-ambalazhimin e medikamenteve të cilat i sjellin si gjysmë prodhime nga vendet tjera, e sidomos nga vendet aziatike, vende të cilat janë te njohura që ofrojnë standard të ndryshme të kualitetit, nga ai më i larti e deri tek ai i dyshimti”.

Mëgjithëse thotë se medikamentet nuk janë të sigurta, Abdullahu vlerëson se nuk është njeriu kompetent për të sugjeruar popullin nëse ata duhet t’i konsumojnë barnat apo jo.

“Unë nuk e gëzoj atë të drejtë, sepse instituti kompetent është AKPM që e jep apo e merr këtë të drejtë, pra licencën për operim. Mirëpo i vetmi dokument që e garanton cilësinë e medikamenteve është rezultati i analizave nga ndonjë laborator i autorizuar për analiza të barnave, i cili do të kishte leje nga AKPM”.

Por që ai e di vetëm një gjë. Thotë se konsumimi i medikamenteve të pakontrolluara, mund të jetë më i rrezikshëm sesa mendohet.

“Helmimi me medikamente është shumë i rrezikshëm. Pas helmimit me medikamente të kualitetit të dyshimtë, pasojat mund të manifestohen pas një , dy, apo më shumë vitesh me simptoma mjaft të rënda, që për intervenim do të jetë vonë”.

“Dhe nuk kemi të bëjmë me një apo dy banor, por me një popullatë prej afër dy milionë banorësh”, thotë ai.
 

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Kreatoda | Web & Design