• Lajmi
  • 0 Komente

Grupi i Llapit- Nuk paraqitet dëshmitari i mbrojtur

11:5803 Prill 2013

Seanca e gjykimit të “Grupit të Llapit”, e paraparë të zhvillohej të mërkurën është shtyrë për njëzet e katër orë, ngase ka munguar pa ndonjë arsye dëshmitari i mbrojtur që pritej të dëshmonte.

Seanca ka nisur në objektin e Gjykatës së Apelit të Prishtinës.

Dëshmitari i mbrojtur numër 4 është ftuar në mënyrë të rregullt, por nuk është paraqitur në seancën e sotme.

Prokurori i rastit “Grupi i Llapit” Charles Hardwey, tha se që nga ora nëntë është munduar të vëjë kontakt me dëshmitarin, por nuk ka mundur ta bëjë këtë, transmeton gazeta Jeta në Kosovë.

Më pas trupi gjykues mori vendim që për dëshmitarin e mbrojtur numër 4 të lëshohet urdhëresë për paraqitje të detyrueshme. Pasi nuk ishte paraparë dëshmia e dikujt tjetër, seanca u shty.

Gjykimi ndaj “Grupit të Llapit” nisi në fund të marsit, kur kryetari i trupit gjykues Jonathan W. Carol vendosi që në gjykim të rikthehet vetëm pika tetë e aktakuzës së vitit 2003.

Të akuzuar janë Latif Gashi, i njohur si Lata, deputet i Kuvendit të Kosovës, e gjatë luftës udhëheqës i shërbimit informativ ushtarak; Rustem Mustafa i njohur si Remi që në kohën e luftës ka qenë komandant i Zonës së Llapit dhe Nazif Mehmeti ish-ushtrues detyre i komandantit të Policisë Ushtarake.

Aktakuza i ngarkon të tre se kishin pasur dijeni për qendrën e ndalimit në vendin e quajtur Llapashticë, ku kishin rrahur dhe torturuar civilë shqiptarë në mënyrën me çnjerëzore. Në aktakuzë thuhet se personat e ndaluar, për të shpëtuar, duhej të tregoheshin luajalë ndaj UÇK-së.

Shumë nga dëshmitarët e paraqitur nga prokurori do të jenë të mbrojtur, disa nga ta anonimë, ndërsa do të merren parasysh edhe deklaratat e dëshmitarëve që tanimë kanë vdekur.

I pandehuri Latif Gashi nëpërmjet mbrojtësit të tij Mexhid Syla në seancat e deritashme është ankuar se policia gjatë një bastisjeje ia ka humbur ditarin e tij të luftës, edhe pse ky ditar ishte regjistruar si prova materiale numër 49.

Kryetari i trupit gjykues ka kërkuar shpjegim nga prokurori në lidhje me ditarin e humbur.

Seanca e radhës e “Grupit të Llapit” do të zhvillohet të enjten, kur pritet të dëshmojë dëshmitari i mbrojtur numër shtatë.

http://gazetajnk.com/?cid=1%2C1018%2C5190 

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Lajme të tjera
Kreatoda | Web & Design